Të tërë e kemi vënë re se vajzat që nuk përmbushin standardet e “Barbie”-t konsiderohen mëkati më i madh, humbja më e madhe për këtë shoqëri. Shtimi i peshës është problemi më madhor i çdo vajze, aq sa fillojnë të urrejnë veten dhe të mbajnë brenda vetes mërzitje dhe inat. Ashtu siç ka shkruar Gracie X : “Trauma ndaj problemeve të shtimit të peshës ka nisur nga dikush që është ndjerë keq gjatë fëmijërisë së vet. Ka kaluar nëpër shumë vështirësi për të rënë vet në peshë dhe nuk do që vajza të kalojë po të njëjtën gjë, ndaj e nxit të mos hajë shumë, sepse do shëndoshet dhe askush nuk do ta pëlqejë”.

Mirëpo ndonjëherë harrohet që adoleshentet në moshën 14-15 vjeçare kanë një shtim të hormoneve seksuale, të cilat në sajë të efekteve në metabolizëm, bëjnë të mundur shtimin në peshë. Çështja qëndron se në këto momente, ato nuk duhet ta kenë standardin e peshës si një kriter bukurie, siç e përcakton shoqëria jonë. Ushqimi i duhur dhe meditimi ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Nëse gjërat thellohen dhe ju si prindër nuk ndihmoni dot siç duhet fëmijën tuaj, atëherë dërgojeni atë të konsultohet me një psikolog. Nuk duhet ta lejoni gjendjen të shkojë deri aty sa fëmija juaj të mendojë “Jam një dështake për shkak të peshës që kam”. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi.

Mos ndikoni në sasinë e ushqimit që konsumon vajza juaj. Përkundrazi, duhet ta bëni vajzën të kuptojë se ajo ka çdo të drejtë mbi trupin e saj. Një gjë e tillë do e bëjë atë të ketë një shëndet më të mirë, dhe të ndihet më mirë fizikisht dhe mendërisht. Ushtrimet si yoha, të parët e emisioneve optimiste ndihmojnë shumë në forcimin e dashurisë për veten.

Shoqëria jonë nuk duhet të japë mësime bazuar mbi perfeksionin e modeleve të dobëta në kopertinat e revistave të ndryshme të modës. Mungesa e perfeksionit nuk është një defekt, të mos jesh e dobët nuk është një defekt, dhe gabimi më i madh është të mendojmë se një trup jo i dobët nuk është i bukur apo tërheqës për të tjerët.

Nuk është aspekti fizik ai që e bën një person të veçantë apo të çmuar. Bukuria e vërtetë vjen nga përbrenda, domethënë nga zemra jonë, nga aftësia jonë për t’i kuptuar të tjerët. Bukuria e vërtetë qëndron brenda nesh. Kjo është ajo që duhet të mësojnë gjithë adoleshentët. Të vlerësojnë veten e vet, sepse bota është e bukur pikërisht sepse ne s’jemi identikë. Çdokush ka të veçantat dhe karakteristikat e veta.

Ndaj, mos harroni të flisni me vajzat tuaja dhe t’i dëgjoni vazhdimisht ato lidhur me problemet që mund të kenë në adoleshencë. Mos i nënvlerësoni këto probleme, pasi realisht janë ndër më të përhapurit jo vetëm në shoqërinë tonë, por kudo në botë, sidomos tani që “perfeksioni” shihet kudo falë fotoshop-it, apo kirurgjisë plastike. / f.xh.