Numri i nxënësve shqiptar që pas orarit shkollor ndjekin edhe kurse të tjera edukative apo kulturore është shumë i vogël. Këtë e thotë edhe përgjegjësi i paraleleve shqipe në Shkollën e Muzikës “Ilija Nikollovski-Lluj” në Shkup, Mustafa Imeri. Ai thotë se prej kur janë hapur paralelet në gjuhën shqipe, asnjëherë deri më tani nuk është plotësuar numri i nxënësve që parashihet për një paralele. Sipas tij, edhe pse këto paralele janë hapur me vite, interesimi i nxënësve shqiptar është akoma shumë i vogël.

“Momentalisht kemi nga një paralele në çdo gjeneratë, momentalisht katër klasa të cilën deri më tani asnjëherë nuk kemi arritur ta mbushim si numër, numrin 24, por zakonisht kemi pasur 22, 18, 14, 15 dhe shpresoj se viteve në vijim do të kemi interesim më të madh. Edhe besoj se do të duhej pak të ndryshoj skepticizmi për shkak se këto janë shkolla profeionale, si shkolla e muzikës dhe e artit dhe do të duhet të bëhet një politik më e zgjeruar në atë aspekt që të bëhet një shpjegim, të shkohet nëpër shkolla fillore ku të bëhet një apel deri tek ato talenta që i kemi ne në kuadër të qytetit të Shkupit që të vijnë dhe të vazhdojnë shkollën e mesme këtu në Shkup”, thotë përgjegjësi i paraleleve shqipe në shkollën e muzikës, Mustafa Imeri.

E, për këtë flasin edhe nxënësit e intervistuar, të cilët ankohen se nuk o ofrohen mundësi të mira për t’u marrë me aktivitete të tjera edukative jashtë orarit mësimor.

“Jo nuk merrem me aktivitete të tjera. Mendoj se nuk ka vende të mjaftueshme këtu që të mundemi me marrë pjesë”, thotë një nxënës.

“Përveç aktiviteteve në shkoll mirrem edhe me aktivitete në sport, si psh futbolli. Nuk mendoj se ka shumë vende, besoj se shumica prej të rinjve sikur mosha ime më shumë janë rrugëve se sa që mirren me aktivitete”, thotë një nxënës tjetër.

Por, situata është e ndryshme tek nxënësit maqedonas.

“Unë shkoj në korin e shkollës që e kemi. Marrë pjesë aty, kemi gara, përgatitemi dhe ashtu”, thotë njëri nga nxënësit.

“Pa tani për tani shkojmë në kor”, thotë një nxënës tjetër.

Profesori Imeri thotë se arsimtarët duhet të japin më shumë kontribut në këtë drejtim, në mënyrë që në qoftë se vërejnë ndonjë talent, t’i nxisin dhe t’i drejtojnë fëmijët që të ndjekin shkollën e muzikës.

“Nuk them se është e lehtë, sepse kemi pasur edhe disa mendime të prindërve që kanë thënë se do ta bij atje në shkollë të muzikës se është më lehtë sepse vetëm këndohet. Ajo nuk është e vërtetëm, ne nuk japim mësim vetëm për këndim edhe këndimi  i cili mbahet këtu është këndim operistik, do të thotë nuk bëhet këndim popullor apo zbavitës”, thekson Mustafa Imeri.

Në kuadër të shkollës “Ilija Nikollovski Luj”, përveç paraleleve shqipe në drejtimin e muzikës, ka edhe paralele të baletit, ku po ashtu interesimi i nxënësve shqiptar është shumë i vogël./SHENJA/