Rasti më i ri i Prokurorisë Speciale Publike (PSP) me emrin “TRUST” tregon se si tre persona fizik dhe tre juridik që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 17 milionë euro.

Pas firmës “Sileks Nemetali” nga Kratova, qëndron pronari i TV SITEL, Xingo, kurse “Transmet”, i takon pronarit të televizionit NOVA TV, që të dy televizionet me politikë redaktuese të afërta me VMRO-DPMNE-në.

Sipas prokurores Fatime Fetai, lënda e sotme do të na tregojë se deri ku ka shkuar lufta me konkurrencën, për marrjen e tenderëve dhe përfitimin e mjeteve të mëdha.

Në këtë lëndë do të shihet gjithashtu se si një konzorcium me dokumentacion të falsifikuar ka fituar tender dhe aneks për atë tender duke përfituar në mënyrë të paligjshme 1 miliardë e 60 milionë denarë ose 17.235.772 euro – para të qytetarëve”, theksoi Fatime Fetai.

Fetai u shpreh se dokumentacioni i falsifikuar është dorëzuar për tenderin në lidhje me gërmimet në minierën “Suvudoll”.

“I dyshuari i parë është uhëheqs në nërmarrjen “Transmet”, i dyshuari i dytë është udhëheqës në “Sileks Nemetali nga Kratova”, ndërkaq i treti është nga “Vato”. Tre persona me vetëdije i kanë shkelur procedurat për prokurim publik. Të njëjtët kanë dorëzuar dokumentacion të falsifikuar për pronësi të mekanizimit. Ka pasur faktura dhe marrëveshje, sipas së cilave është “treguar” se janë blerë mekanizim dhe marrëveshje për lizing” është shprehur Fetai.

Sipas PSP-së, procedura parahetimore për këtë lëndë për krim financiar, është ngritur nga përmbajtja e tre audio inçizimeve nga bisedat e përgjuara, prej të cilave dy nuk janë publikuar në opinion.