Shkruan: Akademik Abdullah MEHMETI
Regjistrimi i sapopërfunduar i popullsisë dhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Maqedoninë Veriore
1. Sipas deklaratave për mediet nga drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup, procesi i regjistrimit të popullsisë në vend është përmbyllur me sukses. Ky operacion statistikor është zhvilluar nga data 5 deri më 30 shtator të këtij viti. Ky ka qenë regjistrimi i tretë me radhë, pas atyre të vitit 1994 dhe 2002, si dhe dy regjistrimeve të dështuara (anuluara), më 1991 dhe 2011.

Sipas të dhënave paraprake nga Enti i Statistikave, deri në përfundimin e këtij operacioni statistikor, në orën 20:00, më 30 shtator, kanë arritur të regjistrohen gjithsej 1.836.000 persona, si dhe 204.239 qytetarë të këtij vendi në botën e jashtme (mërgatë).
Sipas autoriteteve zyrtare, këto janë shifra zhgënjyese, përderisa në regjistrimin e vitit 2002 në Maqedoninë Veriore ka pasur gjithsej 2.022.547 banorë, kurse sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave, në botën e jashtme ka mbi 400 mijë qytetarë të Maqedonisë Veriore. Sipas institucioneve ndërkombëtare (Bankës Botërore) ky numër është mbi 640.000 qytetarë, kurse në regjistrimin e popullsisë të sapo përfunduar nuk janë përfshirë as gjysma e tyre. Në këtë operacion statistikor janë përfshirë kryesisht qytetarët me qëndrim të përkohshëm në shtetet evropiane dhe një numër i vogël i tyre në SHBA dhe shtete të tjera të botës.

2.

Sipas të dhënave preliminare nga Enti Shtetëror i Statistikave, të siguruara nga regjistrimi i sapopërfunduar i popullsisë, më 30 shtator 2021, Maqedonia Veriore ka gjithsej 1.832.696 banorë.

Sipas Listës së përgjithshme të votuesve, e miratuar para pak ditëve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në këtë shetet thuhet se ka gjithsej 1.824.864 banorë me të drejtë vote.

Numri i banorëve që nuk kanë të drejtë vote, të moshës prej 0 deri 18 vjet, sipas të dhënave zyrtare është afërsisht 400 mijë banorë. Ky numër bashkë me numrin e qytetrëve me të drejtë vote, mbi moshën 18 vjeç, e përbën numrin e përgjithshëm të banorëve të një vendi.

Numri i qytetarë nga Maqedonia Veriore në botën e jashtme, sipas regjistrimit të sapopërfunduar të popullsisë, të cilët edhe mund të jenë përfshirë në Listën e përgjithshme të votuesve, është afërsisht 204.239 qytetarë. Që domethënë, se matamatikat e pushtetit janë të devijuara, apo të falsifikuara për së paku 200.000 banorë. Sigurisht se, duhet të jepen shpjegime nga pushteti dhe institucionet kompetente të shtetit, nëse nuk është kryer operacioni i regjistrimit të popullsisë siç duhet, ose Lista e përgjithshme e votuesve është e papastruar nga votuesit fiktivë.

Sidoqoftë, për një shtet normal, demoktarik dhe ligjor, zgjedhjet lokale (komunale) që pritet të mbahen më 17 tetor 2021, nuk mund të jenë të lira, të drejta dhe demokratike, si të tilla duhet të trajtohen si zgjedhje të falsifikuara dhe të paligjshme.

Sipas kësaj, edhe drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, të pozitës dhe opozitës, si edhe drejtuesit e dy blloqeve të partive politike të maqedonasve dhe bashkësive të tjera etnike pakicë, janë të interesuar vetëm për pushtet, jo edhe vlera demokratike, shtet të së drejtës, liri dhe barazi qytetare për të gjithë banorët e vendit, sidomos për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

3.

Të dhënat gjatë këtij operacioni statistikor janë siguruar edhe nga terreni edhe me gërshetimin e të dhënave nga institucionet kompetente, të cilat i azhurnojnë të dhënat për qytetarët, pronat e tyre dhe çështje të tjera civile.

Deri në shpalljen e rezultateve zyrtare nga regjistrimi i popullsisë (priten deri në muajin mars të vitit të ardhshëm), mbeten shumë çështje për t’u diskutuar dhe shumë pyetje e dilema, të cilave duhet t’u jepin përgjigje, pushteti, institucionet kompetente dhe ekspertët e fushës përkatëse, të demografisë, statistikës dhe të tjerë.

4.

Në momentin e tanishëm, përderisa vazhdon fushata e zgjedhjeve lokale (komunale), të cilat do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, është tepër e sikletshme që pushteti aktual të jep një përgjigje të saktë, në pyetjen tepër të ndjeshme, se cili është kredibiliteti i këtyre zgjedhjeve, kur numri i banorëve dhe numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, sipas Listës së përgjithshme të votuesve edhe në këto zgjedhje është i barabartë, përkatësisht, në regjistrimin e sapopërfunduar janë regjistruar gjithsej 1.836.000 banorë, kurse në Listën e përgjithshme të votuesve ende figurojnë 1.824.864 qytetarë me të drejtë vote. Kësaj liste duhet t’i shtohet edhe numri i qytetetarëve pa të drejtë vote, të moshës 0 -18 vjeç, i cili sillet rreth 400 mijë banorë, që së bashku përbëjnë numrin e përgjithshëm të banorëve, i cili del të jetë mbi 2 milionë e dyqind mijë banorë.