Të gjithë nëntë të akuzuarit për dhunën në Kuvend më 27 prill, u dënuan me kusht për pjesëmarrje në turmë e cila do të pengojë personin zyrtar në ushtrimin e detyrës.

Dënim më të madh Gjykata i shqiptoi Dimçe Hristovskit të cilit iu shqiptua masa me kusht në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë në rast se në pesë vitet e ardhshme nuk përsërit vepër penale. Ndërsa, për të tjerët dënimi me kusht është gjashtë muaj në rast se brenda një viti e gjysmë nuk përsërisin vepër penale.
Të akuzuari para gjykatës pranuan fajin se kanë qenë pjesëmarrës atë ditë në dhunën në Kuvend. Sipas avokatit mbrojtës, kjo rrethanë ka qenë lehtësuese për të akuzuarit. Sipas tyre ata kanë qenë të udhëhequr nga turma dhe nuk kanë dashur të lëndojnë askënd.

“Jemi të kënaqur, duke e pasur parasysh faktin se të akuzuarit kanë pranuar fajin, të njëjtit morën masë alternative kjo ishte dënim me kusht. Një numër i madh i të dëmtuarve nuk kanë kërkuar të bashkëngjiten ndaj ndjekjes penale të prokurorisë dhe kanë hequr dorë nga dëmshpërblimi, hoqën dorë nga ndjekja penale, kështu që edhe kjo ishte në favor të të akuzuarve”, ka deklaruar  Valentina Todrovska, avokat.

Ndryshe, gjykimi i nëntë të akuzuarve që u liruan me kusht është seanca e dytë, sepse seanca e parë gjyqësore duhej të mbahet më 18 maj, por u anulua për shkak të mosprezencës të njërit prej të akuzuarve i cili duhej të sillej nga arresti shtëpiak.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar nga LSDM të cilët kanë thënë se ky vendim i gjykatës është i turpshëm. Sipas tyre, veprimi kriminel dhe i turpshëm i Marko Zvëlrevskit, prokurorisë së tij dhe realizuesve të Gruevskit, janë përpjekja e fundit për të shpëtuar fajtorët kryesor për sulmin në Kuvend.

Nga ana tjetër sot MPB ka njoftuar se ka thirrur në bisedë edhe pesë persona të tjerë të dyshuar se kanë marrë pjesë në dhunën e ushtruar në Kuvend ndaj deputetëve.

Në konsultimet me Prokurorin publik, kundër personave do të dorëzohet parashtresë përkatëse. /SHENJA/