Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi pas mbledhjes së sotme të Shtabit të Krizave informoi se transporti publik tani mund të vazhdojë, i cili u ndalua më 21 prill për ta parandaluar përhapjen e Kovid -19. Ajo si bazë të kësaj mundësie e përmendi heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe, prandaj, nuk vlen kjo ndalesë.

“Lidhur me ndalesën e transportit ndërkombëtar të organizuar në komunën e Tetovës dhe komunat përreth, dëshirojmë ta informojmë publikun që ne si Shtab Komunal i Krizave vlerësuam se ndalesa që është miratuar në fillim të gjendjes së jashtëzakonshme, tani me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka fuqi ligjore transporti i organizuar ndërkombëtar mund të vazhdojë me respektimin e rreptë të protokolleve mbrojtëse nga transportuesit”, deklaroi Arifi.

Ajo theksoi se vendimi është miratuar me kontroll paraprak dhe analizë të të gjitha elementeve ligjore.