Spiunët dhe diplomatët rusë janë përfshirë për thuajse një dekadë për të shprëndarë propagandë dhe nxitur trazira në Maqedoni si pjesë e përpjekjeve të gjëra të Kremlinit për të rritur ndikimin e tij përgjatë vendeve të ish-Jugosllavisë dhe për të pamundësuar anëtarësimin e tyre në NATO si dhe për t’i shkëputur ato nga ndikimi perëndimor, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”.

Kjo gazetë shkruan se këto veprime kanë filluar në vitin 2008, duke cituar dokumente të klasifikuara nga shërbimet sekrete maqedonase përcjell Konica.al.

Të gjeturat e këtyre dokumenteve tregojnë për përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur “nacionalistët prorusë dhe antiperëndimorë në Maqedoni”.

“Duke përdorur asetet dhe metodat e të ashtuquajturës forcë e butë, si pjesë e strategjisë së Federatës Ruse në Ballkan, qëllimi është izolimi i vendit nga ndikimi i Perëndimit”, thuhet në një nga këto dokumente të klasifikuara.

Sipas një përmbledhje të përgatitur në fillim të këtij viti nga Vladimir Atanasovski, drejtor i Administratës së Maqedonisë për Siguri dhe kundërinteligjencë, për nëntë vitet e fundit, Maqedonia ka ‘përjetuar një propagandë të fuqishme subversive dhe veprimtari inteligjente të drejtuar nga ambasada ruse, shkruan “The Guardian”.

Fillimi i veprimeve ruse përkon me kohën kur Greqia bllokoi përpjekjen e Maqedonisë për t’u bërë pjesë e NATO-s për shkak të çështjes së emrit, thuhet në artikull.

Aktivitetet inteligjente të Moskës janë kryer nga ambasada ruse në Shkup, nga tre agjentë të Shërbimit të Jashtëm Inteligjent si dhe nga stacioni i tyre në Beograd, por edhe nga katër spiunë të agjencisë inteligjente ushtarake ruse me bazën e saj në Sofia të Bullgarisë.Në një nga këto dokumente sekrete thuhet se agjentët rusë kanë punuar për të rekrutuar pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë dhe ministrin e Brendshëm, me qëllim të krijimit të një ‘mase kritike të individëve të stërvitur ushtarak, të cilët në momente dhe situata të rëndësishme politike do të ishin të përdorshëm për interesat ruse’.

Madje, agjentët rusë kanë ofruar shuma të majme për t’i ndikuar mediat në gjuhën maqedonase dhe shqipe për të “shprëndarë informata dhe dezinformata në mbështetje të politikave ruse”.