Në vigjilje të Ditës së Alfabetit, respektivisht përvjetorit të Kongresit të Manastirit, Universiteti “Nënë Tereza”-Shkup sot organizoi Tryezën shkencore ,,Arsimi – nga tradita drejt sfidave të reja”.

Duke marrë parasysh vlerën historike të Ditës së Alfabetit si dhe aktualitetin e temës “Arsimi – nga tradita drejt sfvidave të reja”, kjo tryezë shkencore ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek akademikët, studiuesit dhe profesionistët e kësaj fushe jo vetëm nga vendi por edhe nga shtete tjera si: Kosova, Shqipëria, Austria.

Me rastin e hapjes së punimeve të tryezës shkencore rektori i Universitetit Nënë Terezë, prof.dr. Aziz Pollozhani theksoi se Dita e Alfabetit ka rëndësi të pacënueshme për ngritjen dhe zhvillimin e popullit shqiptar në çdo aspekt, e në veçanti për arsimin dhe shkollat. De Rada, vëllezërit Frashëri, Petro Nini, motrat Qiriazi, Noli, Mekuli dhe bashkëkohorët tanë Podrimja, Agolli, Kadare, Starova  e shumë të tjerë përcollën tek gjenerata të tëra atdhedashurinë dhe mirkuptimin. Kështu ata ndërtuan dhe përgaditën popullin shqiptar për të qënë krahëhapur popujve të tjerë në fazat më kritike të historisë sonë.

Në kontekstin e një tranzicioni socio-kuturor të zgjatur, duhet të hapim një diskutim për vendin dhe rolin e arsimit si dhe për fuqizimin e këtij procesi. Shkollat tona, universitetet tona, komuniteti jonë akademik, do jenë në ballë të ideve dhe iniciativave për të vënë arsimin në funksion të fuqizimit të gjeneratave të reja për përbalje më dinjitoze në kuadër të proceseve integruese dhe globalizuese.

Për rektorin e UNT-së, me rëndësi është politikbërsit dhe akademikët në konsultim me nevojat e të rinjëve, të bisedojnë mbi reformat e nevojshme për të zhvilluar një rini të përgaditur për sfidat e së ardhmes, një rini që do të mund të shpjerë rajonin në drejtimin e duhur. Thënë shkurt si të ndërtojmë një rini me vizion dhe si mund tu ndihmojm atyre që të kenë mundësi që vizionet e tyre të bëhen realitet.

Arsimi në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë sfidat e tij, por është koha që në vend dhe në rajon të zhvillohen politika arsimore afatgjata me vizion të qartë dhe të mirëinformuar.

Pjesmarrës në këtë konferencë ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës në R. e Maqedonisë, z. Pishtar Lutfiu ku në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi punën e kësaj tryeze shkencore e cila mbahet në një ditë kaq të rëndësishme të historisë së arsimit shqip. Përveç Ministrit të Arsimit  të pranishëm ishin edhe mysafirë nga jashtë si prof.dr Robert Pichler, prof.dr Dukagjin Pupovci, prof.dr Robert Gjedija,dhe akademiku nga vendi prof.dr Zeqirija Neziri./transmeton zhurnal.mk